Sipërmarrësja Arjeta Puca, e cila prodhon makina në fabrikën e saj në Shqipëri dhe është përzgjedhur nga OKB për të prodhuar 500 ambulanca që do të dhurohen për Ukrainën, ishte e ftuara e Kryeministrit Edi Rama në podcast-in ‘Flasim’.
Puca prodhon automjete në periferi të Tiranës dhe ato shërbejnë për të plagosurit e luftës në Ukrainë, për urgjencën spitalore ose Urgjencën Kombëtare Shqiptare, për Forcat e Armatosura dhe për zjarrfikësit.
‘Personazhi i sotëm është Arjeta Puca. Një person me një kompleksitet të jashtëzakonshëm, por më lejoni ta them që në fillim, përpara se të hyjmë në botën e personazhit: ajo është vajza shqiptare që, së bashku me vajza të tjera edhe më të vogla se ajo, prodhon makina,’ tha Kryeministri Rama.
Gjatë intervistës me Kryeministrin Rama, Puca tha se ishte larguar në moshën 4-vjeçare me familjen për në Turqi në vitin 1991, dhe se ishte rikthyer në Shqipëri në moshën 30-vjeçare pikërisht për të zhvilluar ëndrrën e saj.
Duke e përshkruar veten si një vajzë shqiptare që e do vendin e saj, Arjeta thotë se kur u rikthye, të gjithë e pyetën pse ishte kthyer.
“M’u tha shumë herë kur erdha fillimisht në Shqipëri: të gjithë do të thonë që nuk bëhet. Dhe unë e mora si shaka, dhe po, ditën e parë që shkova te noteri, hapa kompaninë, ai më tha ‘Të lumtë, por nuk do funksionojë’ dhe u habita, më dukej si shaka. Këtu ishte më shumë kjo pjesa, më pyesnin vazhdimisht pse je kthyer, nuk ka nga të shkosh. Dhe kur dëgjonin që kisha qenë edhe në Gjermani, ‘Pse nuk i bërë letrat në Gjermani, por erdhe në Shqipëri?’ Unë u thosha ‘Kam kompani këtu, ti më thua të shkoj në Gjermani dhe të punoj si punonjëse, nuk e kuptoj logjikën.’ Vazhdimisht këto pyetje dhe vërtet mbeta e habitur. Kishte pyetje të tilla ku preferohej të mos kishe kompani tënden, të mos ishe në vendin tënd, por të shkoje të punoje në Gjermani, për shembull. Më dukeshin shumë të çuditshme.” – tha Puca.
Puca tha, ndër të tjera, se Shqipëria mund të prodhojë vetë mjetet e saj.
“Nuk kemi asnjë arsye të mos e bëjmë, dhe ata që e kanë bërë, nuk kanë pasur ndonjë shkencë të madhe, sepse zakonisht kur mendon për prodhimin e mjeteve, është një kombinim i caktuar i motorëve, pistonëve dhe gjithçka bashkë. Kërkon një punë të mirë dhe pastaj arrihet shumë lehtë.” – tha Puca.
Kryeministri Rama tha se do të jetë 100% i disponueshëm.
“Do të ishte një nder i madh nëse do të më regjistroje në kompaninë tënde si hamall, falas. Pra, të gjitha vajzat në rresht dhe në fund hamalli, Edi Rama. Që të mbaj peshën e mbështetjes dhe ta shtyjmë përpara atë Arjetën, nuk e di pse, por e kam imagjinuar të kuqe, e kam imagjinuar të kuqe si një ‘Gjeneratë e Re e Ferrarit nga Ballkani.’” – tha Rama.