Flotës Kombëtare të Urgjencës në betejën me COVID-19 i janë shtuar 36 autoambulanca të reja. Ato janë prodhuar ekskluzivisht për Shqipërinë nga TIMAK. Këto autoambulanca janë të pajisura me 4400 litra oksigjen secila, aq sa sipas shefit të Urgjencës, Skënder Brataj, për të çuar një pacient nga Konispoli në Tropojë. “Një spital i vogël në lëvizje”, tha Brataj gjatë prezantimit të mjeteve të shpëtimit brenda ambulancës, duke shtuar se ato do të shpërndahen edhe në spitalet rajonale për të përballuar betejën me COVID.
Flota e re e autoambulancave, për ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu janë një komoditet i madh për çdo lloj skenari që mund të lindë në të ardhmen. Një prej tyre është trajtimi dhe monitorimi në shtëpi i pacientëve të infektuar nga këto ambulanca, nëse ka një numër të lartë të të shtruarve në spitalet COVID. “Nëse ka nevojë për të trajtuar dhe monitoruar një situatë në banesë, ekipet e shpëtimit mund të ofrojnë shërbimin e nevojshëm, këtë kemi projektuar”, tha ndër të tjera Manastirliu, teksa tha se stafi i urgjencës është dyfishuar.