Sipërmarrësja Arjeta Puca, e cila prodhon makina në fabrikën e saj në Shqipëri e që është përzgjedhur nga OKB-së për të prodhuar 500 autoambulanca që do të dhurohen për Ukrainën, ishte e ftuara e kryeministrit Edi Rama në podcastin e ‘Flasim’.
Puca prodhon makina në të dalë të Tiranës dhe makinat e saj shkojnë për të plagosurit e luftës në Ukrainë, për urgjencën spitalore apo Urgjencën Kombëtare Shqiptare, për Forcat e Armatosura dhe ato zjarrfikëse.
‘Personazhi i sotëm është Arjeta Puca. Një personash me një kompleksitet të jashtëzakonshëm, por që ta them qysh në fillim para se të hyjmë në botën e personazhit, është vajza shqiptare që bashkë me vajzat e tjera edhe më të vogla se sa ajo, prodhon makina.’– u shpreh kryeministri Rama.
Gjatë intervistës me kryeministrin Rama, Puca tregoi se është larguar në moshën 4-vjeçare bashkë me familjen për në Turqi në vitin 1991, dhe që u kthye në Shqipëri në moshën 30-vjeçare pikërisht për të zhvilluar ëndrrën e saj.
Duke e cilësuar veten si një vajzë shqiptare, që e do vendin, Arjeta shprehet se kur u rikthye të gjithë e pyesnin se pse u riktheve.
‘Mua shumë herë kur kam ardhur në fillim në Shqipëri ma kanë thënë: të gjithë njerëzit do të thonë që nuk bëhet. Dhe unë e mora si me shaka dhe po që ditën e parë që ika te noterja, hapa kompaninë, më tha “Bravo, por nuk do të ecë puna” dhe u çudita, mu duk me të vërtetë si shaka. Këtu më shumë ishte kjo pjesa, vazhdimisht më pyesnin pse u ktheve, nuk ka për ecur. Dhe kur dëgjonin që kam qenë dhe në Gjermani “Pse nuk i bëre letrat në Gjermani, por erdhe në Shqipëri? Unë thoja “Unë kam kompani këtu, ju thoni të shkoj në Gjermani dhe të punoj punonjëse, nuk e kuptoj logjikën”. Vazhdimisht këto pyetje dhe isha vërtet e befasuar. Kishte disa pyetje që preferonin që të kesh kompaninë tënde, të jesh te shteti jot, por të ikësh të punosh në Gjermani për shembull. Më dukeshin shumë të çuditshme, por që po e ndryshoj mendimin e atyre se e shikojnë që është më mirë të rrish këtu dhe të bësh një gjë.’- u shpreh Puca.
Puca u shpreh ndër të tjera se Shqipëria mund të prodhojë mjetet e saj,
‘S’kemi arsye pse mos ta bëjmë dhe ato që e kanë bërë, nuk kanë pasur ndonjë shkencë të madhe sepse normalisht kur mendon edhe prodhimi i mjeteve është një farë bashkim motorësh, pistonash edhe e gjitha bashkë. Duhet një punim i mirë dhe pastaj mund të arrihet shumë lehtë.’- tha Puca.
Kryeministri Rama u shpreh se ai do të jetë 100% në dispozicion.
‘Do të ishte nder shumë i madh nëse do të më shënoje në kompaninë tënde si hamall, pa pagesë. Domethënë gjithë vajzat me radhë dhe në fund hamall, Edi Rama. Për të mbartur peshën e mbështetjes dhe për të shtyrë përpara që Arjeta, nuk e di pse e imagjinova të kuqe, po e imagjinova të kuqe si një ‘’New Generation of Ferrari from the Balkans’’.’– i tha Rama.